Apr 21, 2011

Komente per librin e Pellumb Kulles: ”Vdekja e Enver Hoxhes"

Kronikë madhore e një vdekje me peshë
Nga Merita Bajraktari McCormack
Washington DC, 15 tetor 2008
“Ishin qindra e qindra tanke ata që kaluan një natë më parë poshtë Shtëpisë së Pushimit. Vetëm pushim nuk mund të quhej, ai, nën zhurmën e zinxhirëve të tyre. Po edhe pa kalimin e tankeve, gjumi, ato net, ishte i çartur.” (shkëputur nga romani “Vdekja e Enver Hoxhës” )
Data 16 tetor në Australi festohet si dita e lindjes së një nga inxhinierëve më të famshëm dhe më pjellorë, në teknologjinë e radarëve. Ai ishte Alfred Xhorxh Pajther që la gjurmë të thella në historinë e shkencës që ai kultivoi dhe biografia e tij e shkurtër ngre në qiell punën e tij të vyer në disa dhjetëvjeçarë. Në Britani 16 Tetori i 1908 përkujtohet dhe festohet si dita e fluturimit të parë të qëndrueshëm nga Amerikani Samuel Kodi i cili , sikurse vëllezërit Wright, pati sukses në fluturimin e një aeroplani “Cody Flyer”, që për 27 sekonda qëndroi në lartësinë e dymbëdhjetë apo pesëmbëdhjetë metrave dhe përshkoi një itenerar prej rreth 450 metrash në vijë ajrore. Ky akt është futur në historinë britanike si i pari fluturim i motorizuar dhe i qëndrueshëm. Tashmë pas njëqind vjetësh, në Farnborough, Angli, ku u krye ky fluturim historik mbetet I ekspozuar po aty një maket i atij avioni fillestar, ndërsa rruga e përshkuar atë ditë është shënuar për të mos u zhdukur kurrë nga faqet e historisë. Mjaft punë të mira e të justifikuara, që i kanë sjellë kaq përparim njerëzimit, filluar më 16 tetor 1908, festohen e kujtohen dhe justifikohet plotësisht kjo festë.
Australianët dhe Anglezët krenohen dhe e festojnë plot hare 16 tetorin 1908, ndërsa në Shqipërine e harruar, këto lajme me peshë të vërtetë as që ishin dëgjuar ndonjëherë. Bile atje nuk u muar vesh kurrë se 16 tetori ish caktuar si dita e urisë botërore. Këtë nuk e patëm dëgjuar asnjëherë, se ne urinë e kemi “pasur mik” e në krye të bashtit, por çfarë kanë ditur shqiptarët, është se atë ditë lindi një fëmijë, qindvjeçari i të cilit ka hapur një debat madhor dhe ka sjellë polarizim, fakt që tregon se plaga që është hapur është ende e papastruar, le më pastaj të shërohet!.
Pëllumb Kulla me humorin e tij unik, të pa krahasueshëm, i ka bërë një dhuratë të vyer kombit. Por jo meqë ai, kombi, e ka festuar me bujë vite e vite me radhë lindjen e atij fëmije që sot vejusha e vet e quan katolik në prejardhje, musliman e të pasur në lindje e të pa fe në jetën e tij mbi tokë. Por vetëm për të kujtuar faktin e mësipërm që plaga ështe akoma e hapur. Kulla me atë guximin e tij që ka rrenjet ne ujin e pastër të Moravës e Sukurjepës së Zëmblakut, na jep një tablo të plotë artistike me vlera përtej asaj që perceptohet fillimisht apo nga titulli dhe shpjegimet shoqëruese: “Vdekja e Enver Hoxhës” (shumë romane në një)
Se ç’farë bëhet në botën e përposhtme vejusha nuk e shpjegon në këto intervistat e fundme, por faktet e ndodhitë përsipërme janë kokëfortë e vejusha nuk i mohon dot..
Por mesa kuptojmë nga ç‘na thotë kronikani Kulla në këtë kronikë madhore të asaj vdekje me peshë, duket qartë që stuhitë që fëmija i lindur me fe dhe i vdekur pafe, i krijoi por nuk i ka marrë me vete. Ai ka krijuar furtuna e uragane, era e të cilëve vrullshëm fryn edhe mbi tokën –planetin blu, e më shumë mbi Shqipërinë e mjerë dhe ku ka diasporë shqiptare - thënë më troç- në tërë botën, se për “merita” të atij djali të pafe, lindur atë ditë tetori 1908, shqiptarët sot gjenden në cdo pëllëmbë të këtij planeti.
Në këtë libër çdo kapitull është një akt, një roman më vete, një pjesë e veçantë e simbiotikës tipike komuniste, organizmat fungale të së cilës nuk bënin dot pa njëra tjetrën, pra këpurdhat e formave dhe masave të ndryshme nuk mund të mbijetonin dot pa njëra tjetrën e pa pemën, trungu i së cilës ishte populli im, i mjeri popull, kombi im dhe i joti…lexues i dashur….
Në formë ky roman është në vazhdën e romaneve të mëparshme të autorit, si “Rrëfenjat Nga Amerika” dhe “Lejlekët nuk vijnë më” ku struktura e romanit i largohet kallëpeve klasike dhe ndërtohet nga tregime të vecantë që qëndrojnë edhe më vete por kanë të tërë një lidhje të brëndshme mjaft të qëlluar. I tillë është edhe “Vdekja e Enver Hoxhës” ku ajo, vdekja është gjetja, sebepi, shkaku për të ndricuar gjithë shoqërinë diktatoriale të shqiptarëve. Vdekja e diktatorit vlen si prozhektori që u drejtohet sa majave aq edhe skutave.
Përvec formës që sapo përmendëm po aq e barazvlertë është edhe përmbajtja. Romani “Vdekja e Enver Hoxhës” është dëshmia e gjallë, e plotë, gjithëpërfshirëse e jetës shqiptare nën diktaturë. Është drama e thellë gjysëm shekullore që autori me mjeshtërinë e tij unike e sjell përmes groteskut dhe satirës. Është dëshmia e dhunës së parreshtur propagandistike dhe e dhunës së egër ushtarake. Një nga detajet më të goditur që lejtmotivojnë librin është parada e tankeve që ndodh në secilin nga kapitujt.
Kulla ka sjellë mjaft karaktere e ngjarje nga shumë anë të botës ku ai ka jetuar, punuar dhe ëndërruar apo dënuar, dhe duket se ajo pjesë e jetës së tij që i ka prekur thellë shpirtin, ka ndikuar në jetën dhe krijimtarinë e tij dhe pse jo ka lënë disa nga gjurmët më të thella në kujtesë, është koha e komunizmit, dhe kjo i shërben më së miri për të ushqyer muzën, që në këtë roman është vërtet e hazdisur dhe Pëllumb Kulla i ka bërë vetes një hapësirë dinjitoze në letrat shqipe.
Kulla ka një mjeshtëri rrëfyese, pa treguar(me gisht-show and don’t tell)). Ai rrëfen instrumentin e kontrollit të jetës. Që në filim të romanit vëmë re këtë survejim të turpshëm dhe mohim të privatësisë në jetën nën komunizëm.
Ja një ilustrim i zakontë:
“ A ka njerëz veç teje këtu, në shtëpi? – pyeti ai i gjati, që dukej si
më i pari ndër të tjerët. i thashë që nuk kishte. Por përgjigja ime ishte pa vlerë, sepse ndërkohë, dy të tjerët, pa teklif, kishin hedhur nga një sy nëpër të ndarat e tjera të apartamentit. Mënyrat se si ata i lejonin të drejtën vetes të bënin kontrolle të tilla dhe të më flisnin mua në vetën e parë me një nënçmim poshtërues, ma dhanë të plotë idenë se ç’lloj njerëzish ishin”. Do të vish me ne që në këtë çast. – më urdhëroi i gjati.
-Na duhesh me ngut. Mund të lesh një letër për familjarët e t’u thuash, se do të kthehesh pak me vonesë sonte.
- Nuk kam familjarë të tjerë veç gruas dhe djalit të vogël. Unë, -
ia bëra me zë të mekur, - dua të them, ne, sot kishim dhe përvjetorin e martesës dhe…
Dhe bëra me shënjë nga shigjeta, sikur ajo do të më vërtetonte ato që thosha.
- Ka gjëra më të rëndësishme, se një përvjetor, - tha tjetri prerë.
- Mos lerë asnjë letër, Bet, - më këshilloi drejtori nga ana e tij. –
Do ta marr unë Xhulin në telefon dhe do t’ i them që na doli një problem i vështirë në studion e filmit.

Kulla rrëfen instrumentin dhe instrumentistët me disa fjali të thjeshta por që brenda mbartin një mënyrë drejtimi. Cilit nga ne nuk do t’i vinin ndërmend ditët kur jetët tona ishin të diktuara, të kontrolluara dhe të planifikuara nga qenie njerëzore që kishin pamjen tonë, pra dy sy, (disa mbase kishin edhe katër xhanëm), dy veshë, një hundë, (mbase dubël për disa)….por në pamje të parë ata dukeshin si binjakët tonë, me flokë ose brun ose bjondë, të gjatë të shkurtër, topolakë, bajmakë, siç na ka krijuar i Madhi, për ata që besojnë apo mëma natyrë për ata që janë ateistë, bile edhe per ata që ishin besnikë në ideal të “Komandantit” që edhe pse i vdekur, nën çarçafin qefin, i kallte datën njerëzve që si ai kishin një trup, dy këmbë, dy krahë…ishin njëlloj por s’lejoheshin të trajtoheshin të tillë…
Paranoja që Enver Hoxha vuante për vete u bë sëmundje e sistemit. Ai kishte frikë nga hija e vet-shembulli bunkerët- dhe ja tani përmend një ilustrimi sa grotesk aq edhe të frikshëm por të besueshëm, ne simpatizojmë grimierin, që Kulla ka fantazuar dhe e ka sjellë në roman sikur të kishte qenë vetë ai për të bërë tualetin e të vdekurit të shquar:
Ai ma dha njoftimin që në gllënjkën e dytë.
- Duhet të ta themi dhe ty një lajm të hidhur që pak e dinë: Enver
Hoxha nuk është më! U nda nga ne! Komandanti na la!
Mua m’u mor fryma. Sikur m’u shemb tavani përsipër.
- Komand… Koman… - përsërisja unë i mekur.
- Po, po - tha Teloja. – Gjëmë e madhe u gremis mbi atdheun tonë.
U nda nga gjiri ynë. Ja, siç e pe, atje, nën çarçaf!
Unë kisha ngrirë i tëri.
- Këtë gjë e di vetëm familja. E dinë anëtarët e Byrosë Politike.
Dhe ata, jo të gjithë. Vetëm Sekretariati. E kupton? Askush tjetër.
- Mjekët! - më shpëtoi mua.
- Më të besuarit. – plotësoi ai. - Kirurgu që bëri zbrazjen e barkut
nuk e di se cili është i vdekuri. Ai nuk e di se kujt ia hoqi të brendshmet. Ne i hapëm dhe i shfaqëm atij vetëm pjesën që i duhej për punë. Ty po ta themi të fshehtën, se na duhesh. Atdheu përgatitet. Lajmi nuk është i lehtë.
Mjeku që kryente detyrat e pasvdekjes nuk mund të shihte kufomën e plotë për arësye sigurie!
A mund të bejë vaki kjo në botën e lirë, në botën e civilizuar?!
Me cilën dukuri mund ta krahasojnë këtë, nxënësit e shkollave, me cilën periudhë të historisë njerëzore mund të kategorizohet si e krahasueshme?
Komunizmi si ideologji dhe Enver Hoxha në veçanti, si një ndër ideologët idhtarë të tij, duke mos ditur se në ç’farë ujëra të përçartura po e drejtonte anijen e kombit, do të mbeten si faqet më të errëta e më famëkeqe në historinë e shqiptarëve. Por baza nuk ishte Shqipëria. Fatkeqësisht metodat e drejtimit e të censurimit ishin të kopjuara e të pa aplikuara sipas kushteve të vendit, por shablone. Kopjet e sistemit ekonomik apo edukativ në Shqipëri ishin bazuar në përvojat sovjetike. Ndarja me rusët ishte sa për sy e faqe, sepse ndërsa BRSS shkoi në rrugën e vet, Shqipëria pa “pasur kopje për të marrë notë kaluese, nuk mori dot as “njësh” në provimin e jetës dhe e pagoi kombi….
Ja se si e ilustron plot humor, dhe keqardhje romani i Kullës kopjacllëkun evident e kapricioz:
“Para se të largoheshim, Teloja e bëri me dije zonjën e pikëlluar, se Sekretariati kish dy ditë që vështronte me vëmendje filmimet me homazhet popullore dhe pëcjelljen për në banesën e fundit të Josif Stalinit. Ai e pyeti nëse dëshironte edhe ajo t’u hidhte një sy atyre filmimeve. Protokolli po hartonte planet dhe procedurat zyrtare, ceremonitë dhe orët e homazheve.
- M’i sillni t’i shoh, - tha vejusha. – Por ato janë të vjetëruara. E
janë bardhezi, në mos gaboj. Ndiqni formën e funeralit të Stalinit, por jo përmbajtjen. Përmbajtjet nuk mund të kenë të krahasuar. Im shoq është i pa arritshëm e nuk i gjen dot të dytë në dashurinë që gëzonte në popull. Pikëllimi i popullit tonë për udhëheqësin, do të jetë më i madh e do të lerë një vazhdë të gjatë. Dhe ju duhet ta shikoni mirë e me shumë përgjegjësi, që shfaqja e këtij pikëllimi të mos pengohet as edhe një çikë!”
Për të qeshur e më shumë për të vajtuar!
Për të vajtuar është edhe fati i Kujtim Gjyzarit të mjerë, një personazh i goditur që përfaqëson ata dhjetra mijëra të burgosur e të therorizuar nën komunizëm…
Kapitulli “Cilin Përcjell Kjo Muzikë” është një nga kapitujt më prekës të librit. Autori këtu na sjell tablo tronditëse, por gjithmonë besnik e i devotshëm ndaj “fesë së tij” të humorit, na sjell një karakter sa të bukur aq edhe komik, sa të sertë aq edhe njerëzor. Është një lloj Don Kishot i vockël në hapësirat e burgjeve enveriane, ku ky kalorës i ri, me shpatë xhveshur mbron ca të vërteta që kanë humbur apo janë nëpërkëmbur. E ngjarë apo jo, pjellë e imagjinatës së begatë të autorit, ndofta, lexojmë faqen, në të cilën Kujtimi po vuan pasojat ngaqë kish parë ëndërr sikur i pat qarë hallet me vetë diktatorin. Dhe për këtë e ndëshkojnë si të ishte fajtor ai, për ëndrrën e tij çapraze:
“Operativi po ziente e mezi po priste fundin e ëndrrës. Bile, bile, nuk priti hiç, por i vuri Kujtimit shkelmin në gjoks dhe e përmbysi praptazi me gjithë karrige. Pastaj iu vërsul përsipër e nuk ia lëshonte leshrat nga dora.
- Mor qen! – i thosh, – mos kërkon që të na zbutësh luftën e
klasave! Po si mund të përfytyrohet të ulet shoku Enver gju më gju, me një kërmë si ti! Si mundet ai t’i fërkojë atë gju të ndyrë, një njeriu me tre vëllezër të arratisur, me nënë e baba të vdekur në burg dhe me dy motrat, që mezi pritën, sa e zunë burgun edhe ato?! Pu-pu! Si mundi të më ndodhë një gjë e tillë në sektorin tim?!
Arti dhe kultura ishin fushat që kontrolloheshin e diktoheshin pikë për pikë. Të gjithë gazetarët apo shkrimtarët që paguheshin për të shkruar vepra letrare, që duhej të kishin në thelb realizmin socialist, qofshin apo jo me ish- triska partie atëherë, sot dëshmojnë për këtë.
Gërshetimi i folklorit me artin, nuk është bërë pa qëllim këtu, por le të mos dalim nga tema e kontrollit dhe komandimit.
Arti i komanduar në këtë roman ilustrohet me Moisi Dhëmblanin, një karakter gjithashtu mjaft i arrirë i kreut me titull” Vargje për gra që dinë të vajtojnë”. Ai është personi që partia ngarkon të shkruajë vargjet e vajtimit për gratë që do ta qajnë te koka udhëheqësin e vendosur në arkivol. Tani të ndalemi për një moment e të mendojmë. Në cilin vend të botës udhëzohen njerëzit se si duhet të vajtojnë?
Në cilin shekull është parë e dëgjuar një gjë e tillë. Sigurisht: vetëm në Shqipëri!!!
Kulla duke evidentuar faktin politik të diktatit, përmes groteskut të qëlluar sjell dhe ironinë e duhur. Ja ilustrimi me vargjet që Moisi Dhëmblani shkroi për gratë vajtuese:
Herë e parë që mbi botë, Ne të shohim, ti s’na sheh!
Ç’na shfaqesh kështu nër lotë: je ai e ai s’je!
O biro e o baba! Oi, oi!
Qysh duron e qëndron shtrirë, gjëmëmadhi prej stërralli!
Vetëm vdekjes sate, bir, qysh s’ia hodhe dot litarin?!
O biro e o baba! Oi, oi!
No COMENT do të thotë kush i lexon këto vargje “popullore” !!!!
Do të drejtoja vëmendjen edhe mbi kreun e fundit të romanit. Kreu i titulluar “Zija ka gjithmonë fund” është një ndër pjesët më të bukura, poetik dhe grotesk në të njëjtën kohë me përshkrime prekës të një shoqërie me zi të imponuar, por që shitet si e lindur vetë në gjirin e popullit. Karakteret në këtë kapitull premtojnë të kenë jetë të gjatë në përzgjedhjet e letërsisë sonë.
Analizat letrare le ti bëjnë analistët, gjykimet për formën dhe përmbajtjen le t’i japin estetët, ndërsa mua le të më lejohet të them se titulli me emrin e vërtetë të Enver Hoxhës, është atraktiv dhe intrigues. Dua të them dhe shpresoj që nuk gabohem se në letërsinë artistike emri i Enver Hoxhës përdoret për herë të parë për një personazh famëkeq sic edhe ka qenë në të vërtetë.
Kulla i është futur me guxim temës së vështirë dhe lëndës eksplozive të diktaturës dhe diktatorit. Guximi është shpërblyer dhe autori e ka treguar vetveten si artist i kompletuar, si njeri që e ka ndjerë thellë në palcë persekutimin dhe si një shkrimtar që kur vjen puna për të shkruar bukur, vërtet e plotësisht, thotë: Ja ku jam, i plotë, i hapur, i vërtetë dhe i guximshëm. E natyrisht i vetëm, në mënyrën se si shkruan plot humor dhe risi të pashterëshme!
Urime autorit!

3 comments:

Anonymous said...

I'm really inspired together with your writing abilities and also with the format for your weblog. Is this a paid subject matter or did you modify it yourself? Either way stay up the nice high quality writing, it’s uncommon to peer a nice weblog like this one today.. affordable car insurance

Anonymous said...

I have never seen better than this site.

Merita McCormack said...

Thank you for your comments!